Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.S., për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, sipas nenit 371, paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2026 në rrugën nacionale që lidh Mitrovicën me Prishtinën. I pandehuri, duke mos poseduar leje përkatëse dhe nën ndikimin e alkoolit, ka lëvizur në krahun dhe shiritin e kundërt të qarkullimit, duke goditur një automjet që udhëtonte në drejtimin e rregullt.
Si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën pasagjerja M.V., ndërsa tre pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Përplasja ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e përfshira dhe në mbrojtëset e rrugës.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe t'i shqiptojë dënimin meritor sipas ligjit. Personat e përfshirë në këtë procedurë gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa të vërtetohet e kundërta me vendim të formës së prerë nga gjykata.