Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, të dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe kontrabandim me migrantë. Sipas aktakuzës, B.H., A.B., Sh.T., E.Zh., G.Sh., A.M. dhe L.A. dyshohet se kanë vepruar gjatë viteve 2023–2024 në territorin e Kosovës, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm material përmes kontrabandimit të migrantëve.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale «Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar» dhe «Kontrabandimi me migrantë». Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se kanë vepruar brenda një strukture të qëndrueshme, me role të ndara, planifikim paraprak dhe koordinim të vazhdueshëm, duke organizuar dhe mundësuar kontrabandimin e shtetasve të huaj.
Sipas aktakuzës, migrantët përfshinin shtetas të Sirisë, Afganistanit dhe Irakut, si dhe persona nga vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Ata, sipas Prokurorisë, nuk kishin dokumentacion të rregullt për hyrje ose qëndrim në Kosovë.
Prokuroria pretendon se të pandehurit i kanë siguruar migrantët në territorin e Shqipërisë dhe i kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë, jashtë pikave të autorizuara kufitare. Kalimi, sipas aktakuzës, është bërë përmes shtigjeve malore dhe rrugëve alternative në zonën Gorozhup–Vërmicë.
Për secilin migrant është paguar, sipas aktakuzës, deri në 4 mijë euro për të gjithë itinerarin e migrimit drejt Evropës.
Teve1 raporton se çështja do të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë dhe se të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.