Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar ngritjen e një aktakuze ndaj A.D., i cili akuzohet për veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Rasti është dërguar për shqyrtim në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas dokumentit të akuzës, ngjarjet kanë ndodhur më 9 mars 1999 në fshatin Ivajë dhe në vendbanimet përreth të Komunës së Kaçanikut. Në atë periudhë, A.D., në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Kaçanik, dyshohet se në bashkëkryerje me forcat policore dhe ushtarake serbe ka ndërmarrë veprime të dhunshme kundër popullsisë civile shqiptare, duke përfshirë torturën, trajtimin çnjerëzor, frikësimin, si dhe dëbimin e banorëve nga shtëpitë, të cilat më pas janë djegur dhe shkatërruar.
Në aktakuzë sqarohet se forcat serbe kanë rrethuar fshatin dhe kanë ndarë burrat nga gratë. Burrat e ndaluar janë dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik, ku pas marrjes në pyetje, 78 prej tyre janë liruar, ndërsa 13 të tjerë janë mbajtur në ndalim. Dyshohet se këta 13 persona janë rrahur dhe torturuar nga i pandehuri A.D. dhe persona të tjerë të paidentifikuar. I pandehuri ndodhet aktualisht në paraburgim.