Organizatorët e misionit humanitar "Global Sumud Flotilla" kanë ngritur akuza të rënda ndaj autoriteteve izraelite për trajtimin e aktivistëve të ndaluar, pasi forcat izraelite ndaluan të martën 430 vullnetarë në ujërat ndërkombëtare. Sipas përfaqësuesve të flotilës, pjesëmarrësit janë përballur me dhunë fizike, përfshirë përdorimin e plumbave të gomës nga afër, të cilët kanë shkaktuar thyerje kockash, si dhe të paktën 15 raste të raportuara të sulmeve seksuale dhe përdhunimeve.
Ekonomisti italian Luca Poggi, një prej të ndaluarve, rrëfeu për agjencinë Reuters se gjatë arrestimit aktivistët janë zhveshur, goditur me shqelma dhe elektroshok, ndërsa u është mohuar e drejta për avokat. Si pasojë e këtyre ngjarjeve, Prokuroria italiane ka filluar hetimet për krime të mundshme, përfshirë rrëmbimin, torturën dhe sulmet seksuale.
Në kundërpërgjigje, Israel Prison Service ka mohuar kategorikisht pretendimet. Një zëdhënës i shërbimit të burgjeve deklaroi për Reuters se akuzat janë "të rreme dhe tërësisht pa bazë faktike". Institucioni këmbëngul se të gjithë personat e ndaluar janë mbajtur në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat themelore nën mbikëqyrjen e stafit profesional.
Presioni ndaj autoriteteve izraelite është shtuar pas publikimit të një videoje ku një ministër izraelit shihet duke tallur disa nga të arrestuarit brenda ambienteve të burgut. Flotila, e cila synonte dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës, përbëhej nga 50 anije, të cilat u bllokuan nga forcat e sigurisë gjatë misionit të tyre humanitar.