Aktorja turke Ece İrtem ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në moshën 35-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës, më 15 qershor, në banesën e saj në Kadıköy të Stambollit, ku aktorja u gjet pa ndjenja në praninë e nënës së saj. Avokati i saj konfirmoi vdekjen pas përhapjes së informacioneve të pakonfirmuara në rrjetet sociale.
Sipas gjetjeve fillestare, dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e një ataku në zemër, megjithatë shkaku përfundimtar mbetet të konfirmohet përmes raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Pas përfundimit të procedurave, trupi i aktores iu dorëzua familjes. Miq dhe kolegë, ndër të cilët Bahar Süer, Bahtiyar Memili, Jessica May dhe Feride Hilal Akın, u mblodhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Ceremonia mortore do të mbahet në Kuşadası të Aydınit.
Ece İrtem, e lindur në vitin 1991 në Sivas dhe e diplomuar për Operë dhe Kanto në Universitetin Yaşar, ishte një figurë e njohur në kinematografinë turke. Ajo është bërë e njohur veçanërisht për rolin e Işıl në serialin Kızılcık Şerbeti, si dhe ka marrë pjesë në një sërë produksionesh të tjera, duke përfshirë:
• Sandık Kokusu
• Aile
• Yasak Elma
• Mahkum
• Bay Yanlış
• Yeni Gelin
Nuk ka të dhëna zyrtare se aktorja të ketë vuajtur nga ndonjë sëmundje e rëndë. Vetëm një ditë para vdekjes, ajo kishte festuar ditëlindjen e saj, duke falënderuar ndjekësit për urimet në rrjetet sociale.