Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Komisionerin e Lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp. Fokus kryesor i diskutimeve ishte gjendja e të drejtave të komuniteteve dhe qasja në shërbimet publike.
Gjatë këtij takimi, Kurti ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas kryeministrit, ky diskriminim manifestohet përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike. Kurti i kërkoi komisionerit Kamp angazhim të drejtpërdrejtë për të siguruar që autoritetet e Serbisë të përmbushin standardet evropiane dhe të garantojnë barazi reale për shqiptarët e Luginës, duke theksuar se të drejtat e tyre nuk duhet të jenë peng i vullnetit politik.
Në diskutimet e tyre, Kurti rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë kosovare mbi barazinë para ligjit. Ai theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron garanci për komunitetet joshumicë që në shumë aspekte tejkalojnë standardet evropiane, duke shtuar se mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i detyrimeve ligjore janë parime që duhet të shkojnë paralelisht. Përveç temës së të drejtave të komuniteteve, palët biseduan edhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.
Në përfundim, kryeministri shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me zyrën e komisionerit Kamp, me bindjen se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve janë detyrime plotësuese që forcojnë njëra-tjetrën.