Ambasada e Zvicrës ka dalë me një sqarim në lidhje me mbështetjen e saj për programin e informimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK), pas ligjëratave të mbajtura në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Sipas deklaratës së ambasadës, që nga viti 2018, Zvicra ka mbështetur aktivitetet e informimit dhe ndërgjegjësimit të DSK-së. Këto dhoma u krijuan përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, duke reflektuar procesin legjislativ vendor dhe mandatin demokratik të institucionit.
DSK është një organ gjyqësor i pavarur. Përmes Zyrës së Informimit, ajo angazhohet me një gamë të gjerë akterësh për të ndarë informacione publikisht të disponueshme mbi mandatin dhe punën e saj, për të dëgjuar pikëpamjet e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, pa promovuar narrativa të caktuara.
Programi zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të cilat lehtësojnë dialogun dhe inkurajojnë debatin publik të informuar mbi çështje me interes publik.
Ambasada thekson se mbështetja e Zvicrës synon transparencën, informimin e qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ajo nuk nënkupton ndikim në përmbajtjen e aktiviteteve apo promovim të qëndrimeve të caktuara.
Ky sqarim u shpërndar në rrjetet sociale dhe u transmetua nga media të ndryshme kosovare.