Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë u realizua me lejen e institucionit arsimor.
Organizata thekson se sesione të ngjashme zhvillohen rregullisht që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto aktivitete përbëjnë pjesë të programit të YIHR KS për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.
Gjatë sesionit, nxënësve u prezantua informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre si institucion i Republikës së Kosovës.
YIHR KS rikujton se që nga themelimi, më shumë se 20 vjet më parë, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme për të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve në Kosovë. Sesione të tilla janë pjesë e misionit afatgjatë për promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe organizata do të vazhdojë punën në këtë fushë.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se nuk ka pasur leje e as koordinim për këtë aktivitet dhe se të tillë nuk duhet të zhvillohen pa marrëveshje ndërinstitucionale.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka konfirmuar se aktivitetet në kuadër të Programit të Outreach-it kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë ligjërata. Ai shton se që nga viti 2018 zhvillohen rregullisht me grupe të ndryshme, përfshirë studentë, anëtarë të komuniteteve lokale, juristë dhe gazetarë.