Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, deklaroi në intervistën për emisionin Off the Record në A2 CNN se statusi non grata i ish-kryeministrit Sali Berisha në Mbretërinë e Bashkuar mbetet në fuqi. Ai sqaroi se kjo nuk është çështje politike, por ligjore.
"Në Mbretërinë e Bashkuar një çështje e tillë nuk është politike, është një çështje ligjore. Për sa më përket mua, vetëm nëse mund të ketë ndonjë sfidë ligjore, do të mbetet si e tillë", u shpreh Abbott.
I pyetur nëse mund të ketë rishikime apo masa të ngjashme për politikanë të tjerë shqiptarë, ambasadori u shpreh i rezervuar. "Është një pyetje që shpesh më bëhet dhe nuk e di çfarë përgjigje të jap", tha ai.
Gjatë intervistës, Abbott komentoi klimën politike në Shqipëri. Ai shprehu shqetësim për faktin se klasa politike mbetet e fokusuar në të kaluarën dhe modelet e vjetra. "Mendoj se shqetësimi im më i madh do të ishte që ndjesia ime është që shpeshherë klasa politike kapet me të kaluarën. Ata besojnë se politika mund të luhet sikundër ka qenë në të kaluarën", theksoi ai.
Sipas ambasadorit, realiteti global kërkon qasje të reja, pasi problemet bashkëkohore kalojnë kufijtë e dukshme. Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë për një opozitë konstruktive.
"Opozita në Parlament dhe partitë opozitare kanë një rol kyç për të luajtur. Opozita duhet të jetë aty për të sfiduar qeverinë, politikat e saj, dhe të ofrojë opsione dhe vendosur pikëpyetje. Sfida këtu shpeshherë është se opozita beson se është aty veç për të bllokuar. Kjo nuk ndihmon", deklaroi Abbott.
Intervista u transmetua më 13 maj 2026.