Aleksandër Botsan-Harçenko, ambasadori i Rusisë në Serbi, në një intervistë për media ka thënë se negociatat për shitjen e aksioneve ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) te kompania hungareze MOL nuk kanë përfunduar ende, por janë në drejtim të duhur.
Ai theksoi se “i gjithë procesi po shkon në drejtimin që u përshtatet të gjithëve, çka është konfirmuar në deklarimet e zyrtarëve serbë”. “Rezultatet aktuale të bisedimeve janë në linjë të plotë me marrëdhëniet miqësore mes Rusisë dhe Serbisë dhe ofrojnë mundësi për vazhdim të bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe çdo sektor tjetër”, shtoi ambasadori.
Sa i përket vendimit të autoriteteve amerikane për zgjatjen e licencës së punës për NIS-in deri më 20 shkurt, Botsan-Harçenko u shpreh “shumë i rezervuar në këtë drejtim”. “Çështja e NIS-it është shumë e komplikuar, janë të përfshira edhe autoritetet amerikane dhe nuk mund të përjashtojmë asgjë. Vendimi amerikan për zgjatjen e licencës është me rëndësi për ruajtjen e funksionalitetit të NIS-it dhe rafinerisë, si burim i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Serbisë. Me fjalë të tjera, kemi rreze shprese”, deklaroi ai.
Aktualisht, NIS-i ndodhet nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë së madhe ruse. Për heqjen e këtyre masave, administrata amerikane kërkon largimin e pranisë ruse nga pronësia.
Grupi hungarez MOL konfirmoi më 19 janar se ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me Gazprom Neft-in e Rusisë për të blerë 56.15% të aksioneve në NIS. Konfirmimin përfundimtar duhet ta japë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit.