Ambasadorja e Shqipërisë në Tel Aviv, Meri Kumbe, në një intervistë për RTSH 24, deklaroi se situata në Izrael ka qenë e tensionuar në 48 orët e fundit për shkak të sulmeve të shpeshta ajrore të kryera nga Irani si kundërpërgjigje.
Ajo theksoi se sot ka pasur më pak sulme, por ato kanë qenë më të fuqishme. Nga sulmet ka pasur viktima, por asnjë qytetar shqiptar nuk është i prekur. Të gjithë shqiptarët ndodhen të sigurt dhe të strehuar në dhomat e sigurisë, sipas rregullave të raportuara. Deri tani, 12 shqiptarë kanë kërkuar asistencën e ambasadës, ndërsa në Izrael jetojnë shumë më tepër shtetas shqiptarë, të cilët janë në gjendje të mirë.
Sulmet kanë pasur si objektiv të gjithë territorin e Izraelit, përfshirë zonat civile. Banorët janë të organizuar pranë banesave, ku çdo godinë ka vendstrehime nën tokë. Bashkitë ofrojnë gjithashtu vende strehimi më të mëdha dhe të strukturuara, ku qytetarët pa vendstrehim privat drejtohen menjëherë. Qytetarët shqiptarë kanë akses të menjëhershëm në dhomat e sigurisë private të banesave ku jetojnë.
Ambasada shqiptare në Tel Aviv është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për çdo rast emergjent. Ajo posedon kontaktet e secilit prej tyre dhe ndjek situatën me vëmendje.