Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) shprehu më 22 tetor shqetësim për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit. Ajo u bëri thirrje qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe aktorëve politikë të bashkëpunojnë për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e njerëzve e të pronës publike dhe private.
Sipas raportimeve të përcjella te Dhoma, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se nuk kanë pasur mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. AmCham vuri në dukje se pasojat prekin edhe punonjësit dhe familjet, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës.
Dhoma paralajmëroi se paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vijimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë. Sipas saj, pasiguria për mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për të investuar në Shqipëri.
Sfidat e mjedisit të biznesit
AmCham tha se situata duhet parë edhe në kontekstin e sfidave më të gjera të mjedisit të biznesit. Edicioni më i fundit i Indeksit të Biznesit të Dhomës, AmCham Business Index (ABI) 2025–2026, evidentoi korrupsionin, monopolet, konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe informalitetin, si dhe një rënie të ndjeshme të perceptimit për klimën e biznesit.
Dhoma rikujtoi se prej vitesh ka bashkëpunuar me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozime për ndryshime në projektligje, akte nënligjore dhe masa të tjera rregullatore që ndikojnë në komunitetin e biznesit. Sipas deklaratës, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve nuk kanë marrë vëmendjen e duhur.
AmCham e cilësoi konsultimin efektiv me komunitetin e biznesit të rëndësishëm për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme e konkurruese.
Në deklaratë, Dhoma u bëri thirrje të gjithë aktorëve të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në dialog, në mënyrë që shqetësimet të trajtohen përmes mekanizmave demokratikë. Ajo kërkoi veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe pronës, si dhe ruajtjen e vijimësisë së aktivitetit të bizneseve.