Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka reaguar kundër vendimit të qeverisë shqiptare për ngritjen e tre qendrave pritëse për emigrantë në Bashkinë Pustec. Ky vendim buron nga akti normativ "Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028", i botuar në Fletoren Zyrtare. Ai parashikon ngritjen e 20 qendrave pritëse në Shqipëri gjatë dy viteve të ardhshme, për menaxhimin e flukseve migratore në rast krize.
Qendrat në Pustec janë planifikuar për emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si vend tranziti drejt Bashkimit Europian. Sipas AMIE-së, vendimi është marrë pa konsultim publik me banorët e komunitetit maqedonas, pa përfshirje të pushtetit vendor dhe pa dialog me aktorët lokalë, duke shkelur parimet e transparencës, vetëqeverisjes vendore dhe demokracisë pjesëmarrëse.
Vendndodhjet e planifikuara
• Në Njësinë Administrative Zrnosko;
• Në fushën sportive të Pustecit;
• Në fushën sportive të fshatit Dollna Gorica.
Këto zona ndodhen buzë Liqenit të Prespës dhe brenda Parkut Kombëtar të Prespës, një zonë e mbrojtur me rëndësi mjedisore, kulturore dhe turistike. Bashkia Pustec është shpallur zonë turistike, ndërsa fshati Zrnosko përfshihet në programin qeveritar të 100 fshatrave turistike. AMIE argumenton se ndërtimi rrezikon mjedisin, zhvillimin turistik dhe vazhdimësinë e komunitetit maqedonas, duke përshpejtuar shpopullimin dhe duke shkelur Ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Kryetari i AMIE-së, Vasil Sterjovski, kërkon anulimin e menjëhershëm të planit për Pustec dhe orientimin e investimeve drejt infrastrukturës, turizmit, bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Partia paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit maqedonas.