Projektligji i amnistisë 2025, i miratuar nga qeveria, kaloi për diskutim në komisionet parlamentare. Sipas relacionit shpjegues, ai ka në vëmendje të veçantë gratë dhe të miturit, por këto kategori përfitojnë më pak krahasuar me të burgosurit e tjerë.
Do të lirohen 4 të mitur dhe 9 gra nga 447 të dënuar. Për më tepër, 5 gra dhe 2 fëmijë përfitojnë ulje dënimi nga 853 të burgosur të tjerë që do t’u zbritet dënimi.
Në Institutin e të Miturve në Kavajë mbahen 27 fëmijë, më i madhi 18 vjeç. Ata janë dënuar për vepra të rënda, si grabitje me dhunë, vrasje dhe plagosje. Numri më i madh i të miturve që pritet të përfitojnë janë ata nën shërbim prove dhe jo në burg, për të lehtësuar riintegrimin e tyre më të shpejtë.
Kategori të tjera përfituese
Projektligji përfshin qindra persona të kallëzuar, nën hetim ose gjykim për vepra penale me dënim deri në 3 vite burgim. Midis tyre:
- mjekë të dyshuar për mjekim të pakujdesshëm;
- gra të akuzuara për prostitucion;
- hajdutë;
- persona për korrupsion në sektorin privat;
- kontrabandistë;
- ata që fshehin të ardhurat ose nuk paguajnë energjinë elektrike;
- qytetarë që kanë shmangur taksat;
- falsifikatorë;
- autorë të krimeve mjedisore pa pasoja në jetë;
- shpifës dhe ofendues;
- kundërshtues të policisë;
- persona që ushtrojnë ndikim të paligjshëm;
- protestues gjatë 2025, duke bllokuar rrugët ose duke kryer veprime ndaj forcave të policisë.