Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj dy punonjësve të organeve të rendit, të cilët dyshohen për veprën penale "Dhuna në familje", të parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, punonjësi i Gardës së Republikës, H. S., u arrestua në flagrancë pas kallëzimit të bashkëshortes, e cila raportoi ushtrim të dhunës fizike, psikologjike dhe kanosje të përsëritura. Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e AMP-së sekuestruan 3 telefona celularë në cilësinë e provës materiale.
Në një tjetër rast, AMP ka ndaluar punonjësin e Policisë së Shtetit, E. M., mbi dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur. Ndalimi u krye pas hetimeve të menjëhershme dhe autorizimit nga prokurori i çështjes.
Materialet për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për procedime të mëtejshme.