Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për rajonin Kukës-Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka njoftuar ndalimin e inspektorit A.P., i cili shërbente si oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit Publik pranë Stacionit të Policisë Klos, në varësi të Komisariatit të Policisë Mat.
Sipas hetimeve paraprake, oficeri dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një shtetaseje. Përveç kësaj, ai akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike edhe ndaj vëllait të saj të mitur. Ndalimi i tij është kryer në kuadër të procedimit për veprën penale "Dhuna në familje", bazuar në nenin 130/a/4 të Kodit Penal. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.