Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë përfundoi hetimet për procedimin penal nr. 8566/2025 dhe dërgoi në gjyq Artiol Saliasin, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), dhe Gëzim Salën, drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse. Të dyshuarit akuzohen për shpërdorim detyre sipas nenit 248 të Kodit Penal, pasi mundësuan punësimin e shtetasit Muçi Shaljani (ndryshe Mustafa Sheqeri) në shkelje të Ligjit nr. 128/2021 "Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore" dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e saj.
Nga hetimet rezulton se Shaljani u punësua më 16 shtator 2025 me urdhër të motivuar "për nevoja emergjente". Dokumentet përgatitore u kryen nga Gëzim Sala, ndërsa vendimmarrjen e mori Artiol Saliasi, drejtor i përgjithshëm i komanduar. Të dy biseduan për rastin që në fillim dhe kërkuan mënyra për të anashkaluar procedurat ligjore, duke mos shpallur vende vakante, duke mos krijuar komision vlerësimi, duke mos zhvilluar teste apo verifikime përfundimtare dhe duke mos vlerësuar dokumentacionin e aplikantit.
Shaljani nuk u paraqit asnjëherë në punë dhe nuk zhvilloi ndonjë detyrë për rreth dy muaj, deri më 11 nëntor 2025, kur mbeti i vrarë bashkë me Gilmando Danin në një atentat me armë zjarri pranë rrethrrotullimit të Rinasit, pas kthimit nga një fluturim nga Barcelona. Pavarësisht mungesës së paraqitjes, ai u pagua rregullisht deri në atë datë, ndërsa kontrata 3-mujore do të përfundonte në dhjetor 2025.
Prokuroria vlerëson se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për shkeljet dhe mungesën e kushteve ligjore, por vazhduan procedurën me dokumentacion të dyshimtë. Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata.