Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon rastet e dyshuara për shkelje ligjore nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Në njoftimin e saj, agjencia tha se ka monitoruar protestat dhe se punonjës të saj kanë qenë të pranishëm në terren, ku kanë evidentuar raste konkrete.
AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, materialet do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit për të sqaruar rrethanat e secilit rast dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Agjencia po vijon veprimet për rastet e evidentuara, në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe në bashkëpunim e koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Sipas AMP-së, bashkëpunimi synon shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.
Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Njoftimi nuk përmban numrin e rasteve që po shqyrtohen apo hollësi për shkeljet e dyshuara.
AMP tha se do të vijojë monitorimin dhe verifikimin e rasteve që lidhen me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e policisë, si dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse. Në njoftim, agjencia përmendi paanshmërinë, llogaridhënien, zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve si parime të punës së saj.