Prej dy muajsh, Tirana është përfshirë nga një cikël protestash të përditshme, të cilat u nxitën nga dhunimi i një protestuesi në Zvërnec nga rojet e një kompanie private që po përgatiste një investim turistik në atë zonë. Për shkak të fokusit fillestar mbi mbrojtjen e flamingove që strehohen atje, mediat ndërkombëtare i pagëzuan këto lëvizje si “Revolucioni i Flamingove”.
Në natën e parë të tubimeve në bulevard u regjistruan rreth 2 mijë qytetarë. Numri i pjesëmarrësve erdhi në rritje të vazhdueshme deri në datën 20 qershor, kur u arrit shifra prej 25 mijë protestuesish. Megjithatë, pas asaj date, është vërejtur një rënie e qëndrueshme gjatë ditëve të javës, me rritje të lehta të shtunave, të cilat gjithsesi nuk kanë arritur nivelet e 20 qershorit. Në javën e fundit të korrikut, numri i protestuesve në bulevard e kaloi shifrën 1 mijë vetëm në ditën e shtunë, më 25 korrik.
Ndërsa në fillim fokusi ishte çështja mjedisore në Zvërnec, me kalimin e kohës kërkesat e protestuesve u zhvendosën drejt dorëheqjes së Kryeministrit Edi Rama. Më 25 korrik, një sondazh kombëtar i zhvilluar nga Eduard Zaloshnja tregoi se 45.4% e të anketuarve kanë një vlerësim negativ për kreun e qeverisë. Bazuar në të dhënat e sondazhit, vlerësohet se rreth 863 mijë banorë të rritur kanë qëndrim kritik ndaj Kryeministrit. Megjithatë, ky sentiment nuk është përkthyer në pjesëmarrje masive në protestat e fundit, ku në datën 25 korrik u numëruan vetëm 2 deri në 3 mijë protestues në bulevard.