Carlo Ancelotti, trajneri italian i kombëtares së Brazilit, ka folur për vendimin për të marrë drejtimin e Seleção-së pas përfundimit të aventurës me Real Madridin.
Në një intervistë për Radio Marca, ai shpjegoi se ideja për Brazilin kishte lindur para dy vitesh. "Brazili ishte tashmë si opsion para dy vitesh. Nuk e kisha ndërmend të shkoja në një klub tjetër pas Real Madridit", u shpreh Ancelotti.
Sipas tij, mundësia për Brazilin u shfaq atëherë, por situata ndryshoi kur vendosi të vazhdojë kontratën me madrilenët. "Mundësia për Brazilin kishte lindur që dy vite më parë, pastaj vazhdova me Madridin. Vitin e kaluar menduam se ishte momenti për t’u larguar dhe tani jam i lumtur", shtoi ai.
Ancelotti theksoi se nuk dëshironte ta tradhtonte Real Madridin duke marrë drejtimin e një skuadre tjetër klubi. Prandaj, alternativa e një kombëtareje ishte më e natyrshme në fund të karrierës së tij të suksesshme në Madrid. Kështu, pas epokës me madrilenët, ai ka nisur një kapitull të ri duke përgatitur Brazilin për Kupën e Botës 2026.