Trajneri italian Carlo Ancelotti ka konfirmuar se nuk do të rikthehet në drejtimin e përfaqësueses së vendlindjes së tij. Pas kontakteve paraprake të zhvilluara rreth dy javë më parë, Ancelotti bëri të qartë se projekti i tij aktual te Kombëtarja e Brazilit mbetet prioritet, duke hedhur poshtë spekulimet për një kalim të mundshëm në stolin e "Azzurrëve".
Detajet e këtyre bisedimeve u zbuluan nga Paolo Maldini, në cilësinë e drejtorit të ri teknik të kombëtareve italiane. Sipas raporteve, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) kishte shprehur interesim për të mësuar planet e trajnerit dhe kushtet e klauzolës së largimit nga kontrata aktuale. Megjithatë, marrëveshja e re e Ancelottit me Konfederatën Braziliane të Futbollit (CBF), e cila është e vlefshme deri në vitin 2030, ka shërbyer si pengesë kryesore për këtë lëvizje.
Ndërkohë, kërkimet e Federatës Italiane për të gjetur pasuesin e Gennaro Gattusos vazhdojnë. Institucioni po shqyrton alternativa të tjera, ndërsa raportohet se ka zhvilluar bisedime edhe me trajnerin Pep Guardiola.
Aktualisht, Carlo Ancelotti ndodhet në Kanada për pushime dhe pritet të kthehet në Rio de Janeiro gjatë muajit gusht. Ai do të nisë përgatitjet me ekipin kombëtar brazilian për ndeshjet miqësore të planifikuara për në muajin shtator kundër Australisë.