Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ankara të Turqisë, ku një shtetas ka kërcënuar jetën e vajzës së tij të mitur. Sipas njoftimeve, incidenti filloi pas një debati të ashpër që autori kishte pasur me bashkëshorten e tij në lagjen Etimesgut.
Gjatë konfliktit, burri ka mbajtur peng vajzën 3-vjeçare duke përdorur një thikë. Situata u përshkallëzua kur ai e nxori fëmijën nga dritarja e apartamentit, duke e mbajtur atë pezull mbi hapësirën e jashtme, gjë që shkaktoi panik te banorët e zonës.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave speciale të policisë turke, pengmarrësi është neutralizuar dhe fëmija është nxjerrë në siguri. Autoritetet konfirmuan se e mitura nuk ka pësuar dëmtime fizike. Momenti i operacionit policor është pasqyruar në një video që është bërë virale në rrjetet sociale.