Garat e Formula 1 në Bahrein dhe Arabia Saudite, të planifikuara për muajin e ardhshëm, janë anuluar për shkak të pasigurisë së krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga BBC, Sky News, Marca dhe Sky Sports, vendimi vjen si pasojë e rrezikut për sigurinë e stafit, ekipeve dhe personelit, si dhe problemeve logjistike për transportin e pajisjeve. Bahreini duhej të priste garën më 12 prill, ndërsa Arabia Saudite fundjavën pasuese, më 19 prill. Anulimi i garës në Bahrein pengon dërgimin në kohë të pajisjeve në Arabia Saudite.
Njoftimi zyrtar pritet të bëhet brenda 48 orëve ose gjatë fundjavës së garës në Kinë, ku do të qartësohet e ardhmja e sezonit. Për momentin, nuk parashikohet shtimi i garave zëvendësuese, kështu që kalendari reduktohet në 22 gara Grand Prix. Kjo krijon një pauzë katërjavore midis garës në Japoni dhe asaj në Miami.
Garat në Katar dhe Abu Dhabi për muajt nëntor dhe dhjetor mbeten në program. Bahreini dhe Arabia Saudite kanë qenë objekt sulmesh nga Irani gjatë përshkallëzimit të tensioneve rajonale, çka rrit rrezikun për organizimin e ngjarjeve sportive.