Lufta e shpërthyer në Iran, me bombardime që shtrihen në vende fqinje si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të Izraelit dhe SHBA-së, ka ndikuar në aktivitetet e Formula 1, një javë para nisjes së sezonit në pistën e Melbourne-it, Australi.
Skuadrat kishin dërguar inxhinierët në Bahrein për testimet e gomave këtë fundjavë, por bombardimet nga Irani drejt këtij vendi çuan në anulimin e tyre si masë sigurie. Inxhinierët e Pirelli-s, McLaren-it dhe Mercedes-it, që kishin radhën në pistë, u strehuan me urgjencë në hotelet përkatëse.
Skuadrat po përpiqen t'i largojnë nga Lindja e Mesme, por aeroportet janë të mbyllura. Situata është e tensionuar edhe në Katar, Dubai e Abu Dabi, ku shumë ekipe kanë baza për testime ose planifikonin tranzite.
Për shembull, mekanikët e Red Bull-it mbetën në Bolonjë pasi nuk mund të udhëtonin drejt Dubait për t'u nisur më pas për në Australi. Rreth 2000 persona, që punojnë drejtpërdrejt me ekipet, udhëtojnë zakonisht për çdo garë, dhe pengesat në lëvizje hedhin dyshime mbi zhvillimin normal të sezonit.
Drejtuesit e Formula 1 thonë se po monitorojnë situatën, ndihmojnë me logjistikën dhe vlerësojnë sigurinë për Çmimin e Madh të Bahreinit më 12 prill si dhe atë të Arabisë Saudite më 19 prill.