Familja e shtetasit shqiptar Erkan Nika, inxhinier i dytë në anijen tregtare Aroyat, ka kërkuar mbështetjen e institucioneve shqiptare për zbardhjen e fatit të 28-vjeçarit pas një sulmi me dronë në Detin e Zi. Anija, e cila ishte nisur nga Porti i Durrësit, u sulmua më 27 shtator në afërsi të portit të Novorossiyskut.
Sipas babait të tij, Rexh Nika, në anije ndodheshin gjithsej 16 anëtarë të ekuipazhit. Ndërsa 15 prej tyre kanë arritur të shpëtojnë, inxhinieri shqiptar nuk rezulton në listën e të mbijetuarve. Në një apel publik, familja ka kërkuar ndihmë nga institucionet shëndetësore, policia dhe autoritetet përkatëse në Rusi dhe Gjeorgji, duke u bërë thirrje atyre që të kontrollojnë regjistrat për pacientë të paidentifikuar, të plagosur, ose individë të gjetur përgjatë vijës bregdetare të Detit të Zi.
Kontakti i fundit i Erkan Nikës me të atin është shënuar më 24 shtator, kur i riu njoftoi se ndodhej në Detin e Zi. Familja, e cila jeton në Turqi që prej vitit 1997, vazhdon të kërkojë angazhimin e shtetit shqiptar dhe autoriteteve ndërkombëtare për kërkimet në terren.