Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur sot, më 11 maj, lirimin nga qelia të pesë mbështetësve të Partisë Demokratike, të arrestuar pas protestës së 17 prillit. Ndaj tyre është zëvendësuar masa e sigurisë "arrest me burg" me "detyrim paraqitje", sipas vendimit të gjyqtarit Dritan Hasani.
Të liruarit janë Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Tocilla dhe Semi Bici. Ata kaluan 21 ditë në qeli. Sipas burimeve, kjo është hera e parë që Gjykata e Tiranës vendosi burgim për protestues të Partisë Demokratike.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Kundërshtim i punonjësit të rendit publik", "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" si dhe "Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit". Prokuroria ka paraqitur prova filmike që tregojnë protestues të maskuar, të quajtur nga policia "grupi i zjarrit", marshues pas Sali Berishës, të cilët kanë sulmuar me molotovë dhe mjete piroteknike godinën e Kryeministrisë dhe forcat e policisë.
Sipas Mapo-s, seanca u zhvillua sot për shqyrtimin e masës së sigurisë, ndërsa Shqiptarja.com dhe TV Klan raportojnë lirimin e menjëhershëm. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në vendim gjyqësor të formës së prerë.