Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e dënoi Jon Hotin me dënim të unifikuar prej 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë të kryer më 13 nëntor 2024 në Klinë. Vendimi i shkallës së parë u shqiptua më 30 maj 2025.
Të dëmtuarit R.Sh. dhe S.Sh. parashtruan ankesë kundër vendimit për sanksionin penal, duke kërkuar dënim më të lartë. Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Jeton Maqedonci, kërkoi anulimin e aktgjykimit, zbutjen e dënimit për rrethanat lehtësuese ose kthimin e çështjes në rivendosje në shkallën e parë.
Prokuroria e Apelit propozoi aprovimin e ankesës së të dëmtuarve, ndryshimin e aktgjykimit sa i përket sanksionit penal me një dënim më të lartë dhe refuzimin e ankesës së mbrojtësit si të pabazuar. Seanca e shqyrtimit u mbajt më 2 tetor 2025.
Gjykata e Apelit refuzoi pretendimet për dënim më të ashpër ose më të butë, duke konstatuar se shkalla e parë kishte vlerësuar siç duhet rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Si rrethana lehtësuese u përmendën pranimi i fajësisë që Hoti e bëri që në procedurën paraprake, shprehja e pendimit, mungesa e dënimeve të mëparshme penale dhe mosha e re e tij, 19-vjeçare në kohën e kryerjes së veprës. Si rrethana rënduese u vlerësua shkalla e lartë e veprës.