Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend, duke nënvizuar se zgjidhja e situatës aktuale i takon tashmë Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gashit, fituesi i zgjedhjeve është përballur me një afat kushtetues të tejkaluar që nga data 5 gusht, gjë që e bën çështjen një temë të zbatimit të Kushtetutës dhe jo thjesht retorikë politike.
“Prej sot paradite, fjalën e ka Gjykata Kushtetuese. Që nga 5 gushti, fituesi i zgjedhjeve është përballur me një afat kushtetues të tejkaluar. Kjo nuk është më çështje retorike politike, por çështje e zbatimit të Kushtetutës. Tash le të flasë Gjykata. Pas vendimit, do të dihet rruga përpara dhe përgjegjësia politike për secilin”, ka deklaruar Gashi. Ai theksoi se presin vendimin e institucionit më të lartë gjyqësor për të përcaktuar hapat e ardhshëm.
Ndërkohë, përfaqësues të opozitës kanë ngritur dyshime mbi legjitimitetin e qeverisë së tanishme. Ata vlerësojnë se procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk mund të konsiderohet i përmbyllur për sa kohë nuk është zgjedhur nënkryetari që i takon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Përditësime
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar zyrtarisht lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Delegacioni i përbërë nga Arian Tahiri, Përparim Gruda dhe Faton Fetahu ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të shmangur dëmet institucionale. Eksperti juridik Mazllum Baraliu sqaroi se nuk ekziston një afat ligjor strikt për vendimmarrjen e gjykatës dhe se Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë seancat përderisa nuk ka një urdhër për masë të përkohshme.