Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, po shqyrtohet si një përforcim kryesor për repartin e mbrojtjes te skuadra e Udinezes. Interesimi i klubit friulan vjen si pasojë e nevojës për të shtuar eksperiencën në ekip, pas largimit të Thomas Kristensen drejt Atalantës. Sipas raportimeve nga Sky Sport, Udinese ka nisur kontaktet për të vlerësuar mundësinë e transferimit të 30-vjeçarit.
Pozicioni i Ismajlit te Torino ka ndryshuar pas afrimeve të lojtarëve si Pietro Comuzzo dhe Eray Comert, ndërsa Saul Coco vijon të jetë pjesë e planeve të trajnerit Abate. Kjo konkurrencë ka bërë që mbrojtësi shqiptar të mos shihet si një zgjedhje e padiskutueshme në formacionin titullar të skuadrës torineze. Për trajnerin e Udinezes, Kosta Runjaic, afrimi i Ismajlit do të shtonte një alternativë më të konsoliduar në qendër të mbrojtjes, duke qenë se aktualisht ai mbështetet te lojtarë si Bertola dhe Palma.
Karriera e Ismajlit në Itali ka përfshirë tre skuadra deri më tani: Spezia, Empoli dhe së fundmi Torino. Përpara kësaj, ai ka qenë pjesë e kampionatit kroat. Një transferim i mundshëm te Udinese vlerësohet si një mundësi që mbrojtësi të sigurojë më shumë minuta në fushë dhe të rikuperojë një rol më të rëndësishëm në nivel klubesh. Për momentin, tratativat janë në fazat e para dhe lojtari nuk konsiderohet i paprekshëm nga drejtuesit e Torinos, nëse mbërrin një ofertë e kënaqshme.