Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Sarandës, Ardit Bido, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të një autobusi me targa greke, duke pretenduar se ky mjet është përdorur për transportin e protestuesve në Zvërnec të shtunën e kaluar. Sipas deputetit, ky autobus është një nga tri mjetet që kanë sjellë protestues në këtë zonë.
Publikimi i kësaj fotografie vjen si kundërpërgjigje ndaj akuzave të drejtuara ndaj deputetit, në të cilat pretendohej se provat që ai kishte shpërndarë më parë ishin të manipuluara përmes inteligjencës artificiale (AI). Ardit Bido i ka cilësuar këto akuza si pjesë e një lufte hibride me qëllim fshehjen e së vërtetës. Në sqarimin e tij, deputeti saktësoi se autobusi në fjalë mban targën XZI 6801 dhe sfidoi kritikët mbi autenticitetin e fakteve të paraqitura prej tij.