Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka ndërmarrë një vizitë në Hagë për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht mbahen në paraburgim. Gjatë këtij qëndrimi, ai ka vënë theksin te nevoja për drejtësi, duke deklaruar se çlirimtarët nuk kanë nevojë për mëshirë.
Sipas Mehajt, lufta e tyre ka qenë një përpjekje për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjet dhe popullin, ndërsa liria është arritur përmes sakrificës. Ish-ministri ka shprehur qëndrimin se mbrojtja e atdheut nuk mund të trajtohet si krim, duke paralajmëruar se dënimi i atyre që mbrojtën vendin nga agresioni do të dërgonte një mesazh të gabuar për botën.
“Ne nuk kërkojmë favore dhe as ndikime politike. Kërkojmë vetëm drejtësi të vërtetë, të pavarur nga çdo presion, qoftë nga Serbia, qoftë nga aleatët e saj, apo nga cilido shtet tjetër. E vërteta nuk duhet të ketë ngjyrë politike”, ka deklaruar Mehaj.
Ish-ministri ka shtuar se vendi i çlirimtarëve është në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit për të cilin sakrifikuan gjithçka. Ai ka bërë thirrje për një mbështetje më aktive, duke kërkuar angazhim jo vetëm me fjalë, por me qëndrim, zë dhe unitet.
“Historia nuk mbrohet duke heshtur. Sakrifica e tyre nuk guxon të relativizohet, sepse duke mbrojtur çlirimtarët, mbrojmë të vërtetën e luftës sonë dhe dinjitetin e Kosovës”, ka nënvizuar ai në përmbyllje të vizitës së tij.