Një shtetas shqiptar 48-vjeçar, i identifikuar si Edmond Tafa, u arratis mëngjesin e së hënës nga burgu i Koridhalos në Greqi. I burgosuri, i cili ishte angazhuar në punë në Depon Qendrore të Materialeve, shfrytëzoi procesin e furnizimit me ushqime për t'u larguar nga zona e paraburgimit.
Pamjet e publikuara nga media greke SKAI shfaqin momentin kur i burgosuri vrapon për t'u larguar, ndërsa ndiqet nga dy oficerë të burgut. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ku po shqyrtohet mundësia që dy zona sigurie të njëpasnjëshme të kenë qenë të hapura njëkohësisht, duke lejuar daljen e 48-vjeçarit.
Sipas të dhënave zyrtare, i burgosuri po vuante një dënim prej 7 vitesh e 6 muajsh për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të ligjeve për armët. Data e parashikuar e lirimit të tij ishte korriku i vitit 2031. Përpara kësaj ngjarjeje, ai kishte përfituar tri leje në gjashtë muajt e fundit, të cilat i kishte respektuar duke u kthyer në kohë në institucionin e vuajtjes së dënimit. Ai ishte transferuar më herët në Koridhalos nga burgu i Korfuzit.
Pas arratisjes, Njësia e Hetimit dhe Zbardhjes së Krimeve në Pire ka arrestuar dy punonjës të burgut, të cilët akuzohen për lejimin e arratisjes së një të burgosuri. Ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore, ndërsa kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e Edmond Tafës mbeten në vijim.