Policia e Kukësit goditi sot një rast të shpërndarjes së lënde narkotike në qytet. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës kryen kontrolle në disa zona dhe ndaluan një automjet tip Seat te Ura e Hasit.
Në automjet lëviznin tre shtetas, njëri prej të cilëve u largua me vrap sapo pa automjetin e policisë. Gjatë kontrollit, shërbimet gjetën në bagazh një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të ndarë në doza, dhe e sekuestruan atë bashkë me automjetin si provë materiale.
U vunë në pranga 16-vjeçari që drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe shtetasi M. M., 22 vjeç, pronar i mjetit. Të dyshuarit akuzohen se bashkëpunonin për shitjen e lëndës narkotike në doza në Kukës.
Një 16-vjeçar tjetër, pasagjer në automjet, u procedua penalisht në gjendje të lirë si bashkëpunëtor. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që u largua nga vendi i ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.