Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar "Flagranca" në Divjakë, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas të dyshuar për veprimtari në fushën e narkotikëve. Në pranga ranë T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Grabian të Divjakës.
Sipas njoftimit policor, nga hetimet rezulton se të dyshuarit siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën e ndanin në doza dhe e shpërndanin për shitje në zona të ndryshme. Ata u kapën ndërsa lëviznin me automjet në fshatin Grabian, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan doza kanabis dhe kokainë gati për shitje.
Në vijim të kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi dhjetëra doza të tjera lënde narkotike (kokainë dhe kanabis), një automjet, një peshore elektronike, një grirëse për përpunimin e drogës dhe tre aparate celularë. Këto u morën si provë materiale.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Operacionale".