Katër persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim në Fier, në kuadër të operacionit policor “Clean School”, kundër shpërndarjes së dyshuar të lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore. Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas një hetimi disa mujor, të ndjekur edhe me metoda speciale. Në banesat e të arrestuarve u sekuestruan 2,9 kilogramë lëndë e dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Sipas njoftimit të Policisë së Fierit, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër banorë të Fierit: Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç, dhe Taulant Çela, 52 vjeç. Policia vijon kërkimet për E. B., 38 vjeç, gjithashtu banor i Fierit, ndaj të cilit është caktuar e njëjta masë sigurie.
Operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Policia tha se hetimi synonte dokumentimin e veprimtarisë së grupit të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave në qarkun e Fierit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Policia e Fierit tha se do të vijojë angazhimin kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.