Një 17-vjeçar banues në Tiranë u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur varëse floriri me vlerë rreth 12 mijë euro në një argjendari të një qendre tregtare në rrugën Abdi Toptani.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, kur i mituri mori bizhuteritë e çmuara dhe u largua me vrap nga vendi i ngjarjes. Pas njoftimit të menjëhershëm për vjedhjen, policia organizoi veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i këtyre veprimeve të shpejta, në kuadër të operacionit policor të koduar Golds, u arrit kapja e të dyshuarit. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia sekuestroi varëset e vjedhura në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.