Shërbimet e Policisë Rrugore në Berat kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 mars 2026 në aksin rrugor Dimal–Berat.
Në pranga u vu shtetasi H. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vërtop, Poliçan. Nga hetimet rezultoi se i riu, duke drejtuar një automjet tip Fiat, përplasi biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi R. T., 42 vjeç, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale.
Policia gjeti dhe sekuestroi automjetin e përdorur në aksident. Si rezultat i veprimeve hetimore për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave, shërbimet policore lokalizuan dhe kapën të dyshuarin.
R. T. ndodhet aktualisht në kujdesin mjekësor në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.