Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar arrestimin e një shtetasi 31-vjeçar, i dyshuar për veprën penale të kanosjes. Sipas hetimeve, i dyshuari M.M. ishte afruar te shtëpia e fqinjit të tij, ku përmes fjalëve e kishte kanosur këtë të fundit.
Pas marrjes së njoftimit për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese të mbështetura nga Njësia e Reagimit të Shpejtë. Gjatë zhvillimit të operacionit, forcat e rendit kanë kontaktuar me një person tjetër, S.M., 55 vjeç, i cili ka deklaruar se posedonte një armë të gjatë gjysmëautomatike. Arma, e cila ishte pa fishekë, është konfiskuar nga policia.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari M.M. është ndaluar për 48 orë për vazhdimin e procedurave hetimore. Ndërkaq, ndaj shtetasit S.M. ka nisur një procedurë e rregullt, pasi dyshohet për veprën penale "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës".
Përditësime
Autoritetet policore saktësuan se incidenti ka ndodhur në fshatin Nerodime e Poshtme të Ferizajt. Ngjarja është regjistruar në datën 16 gusht, rreth orës 19:30.