Seksioni për Hetimin e Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Delivery”, pas hetimeve lidhur me një rast të trafikimit të paligjshëm të pjesëve të armëve të zjarrit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Eni Hoxha, 32 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye në momentin kur po tërhiqte pakon në një degë postare të vendosur në rrugën “Asim Vokshi”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në pako, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
• 1 tytë arme zjarri;
• 1 silenciator;
• 2 krehra;
• pjesë të tjera të armëve;
• 2 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.