Policia e Fierit arrestoi një 34-vjeçar dhe shpalli në kërkim një 37-vjeçar, të dy banues në Vlorë, pasi dyshohet se kanosën një 28-vjeçar, rezident në Itali, për t’i dhënë një shumë parash që pretendonin se ua kishte borxh. Operacioni u kodua “Këmbimi”.
Sipas policisë, pas kallëzimit të 28-vjeçarit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprime hetimore dhe arrestuan në flagrancë F. S. (H.), 34 vjeç. R. M. (F.), 37 vjeç, u shpall në kërkim. Policia tha se të dy kanë precedentë të mëparshëm penalë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat i kërkuan 28-vjeçarit shumën që pretendonin se ua kishte borxh. Në këmbim, ai udhëzoi vëllanë e tij t’i dorëzonte 34-vjeçarit dy automjete në Lushnjë. I arrestuari u kap teksa po i merrte automjetet.
Gjatë kontrollit, 34-vjeçarit iu gjet një armë neuroparalizuese. Policia sekuestroi armën dhe të dy automjetet. Sipas njoftimit, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 37-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.