Një shtetas 43-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Rimini të Italisë, është arrestuar në flagrancë nga karabinierët nën akuzat për dhunë të rënduar në familje, plagosje dhe kërcënime. Ngjarja është regjistruar më 5 gusht në një hotel në zonën e Viserbella-s, kur djali i të dyshuarit, 22 vjeç, njoftoi forcat e rendit gjatë një konflikti fizik.
Sipas hetimeve, 43-vjeçari, i cili dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit, po kërkonte paratë që bashkëshortja e tij kishte fituar nga puna si punëtore shtëpiake gjatë muajve qershor dhe korrik. Gjatë këtij konfrontimi, i dyshuari tentoi të hidhte një biçikletë drejt makinës së një klienti dhe goditi me grusht djalin e tij, i cili ndërhyri për të mbrojtur nënën. Për të ndaluar agresionin, 22-vjeçari arriti ta mbante të atin në tokë deri në mbërritjen e karabinierëve. Nga kjo përleshje, i riu pësoi lëndime që kërkuan një periudhë rikuperimi prej 10 ditësh.
Hetimet kanë zbardhur një histori abuzimi që dyshohet se ka nisur që në mars të vitit 2020. Në një nga episodet e dokumentuara, burri kishte hyrë në dhomën e fëmijëve me një rrip, ndërsa kur bashkëshortja u përpoq të ndërhynte, ai e shtyu atë duke i shkaktuar përplasje të kokës në mur, si dhe goditi djalin e madh. Në atë rast, gruaja u detyrua të deklaronte në spital se ishte rrëzuar aksidentalisht. Një tjetër sulm ndodhi më 2 gusht, ku gruaja pësoi lëndime me prognozë mjekësore prej 30 ditësh, çka e shtyu atë të bënte kallëzim penal më 3 gusht. Pavarësisht kësaj, më 4 gusht, i dyshuari u shfaq në vendin e punës së saj duke e kërcënuar.
Prokuroria ka kërkuar konvalidimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë arrest në burg, duke argumentuar rrezikshmërinë e lartë të subjektit, të mbështetur në provat rrethanore, dënimet e mëparshme dhe varësinë kronike nga alkooli.