Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ivrea të Torinos në Itali, ku një 47-vjeçar është vënë në pranga nga autoritetet lokale. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj bashkëjetueses së tij pas një konflikti të ashpër të ndodhur në banesën e tyre në lagjen San Bernardo.
Sipas autoriteteve italiane, i dyshuari ndodhej në gjendje të rënduar psikofizike si pasojë e konsumit të alkoolit. Gjatë debatit, burri spërkati gruan me naftë me qëllim për t'i vënë zjarrin. Ngjarja nuk ka përfunduar me pasoja tragjike falë ndërhyrjes së menjëhershme të një miku të çiftit, i cili ndodhej në banesë në atë moment. Ai arriti ta mbante krahun e agresorit, duke penguar ndezjen e çakmakut deri në mbërritjen e forcave të rendit.
Ndërkohë, viktima ka arritur të njoftojë policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe neutralizoi 47-vjeçarin. Karabinierët kanë sekuestruar çakmakun si provë materiale. Nga ky incident nuk raportohen persona të lënduar. Me urdhër të Prokurorisë së Ivreas, e cila po drejton hetimet, i arrestuari është dërguar në paraburgim, ku do të qëndrojë në dispozicion të drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.