Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj Jeton Selmanit, 47 vjeç, pas publikimit të përmbajtjeve kërcënuese në rrjetin social Facebook drejtuar Kuvendit të Kosovës. I dyshuari është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Kanosje".
Në postimin e tij, i dyshuari kishte shkruar: "Po më vyejnë 30 mashkuj patriotë të armatosur mirë me blloku parlamentin e Kosovës, dhe mos me u dorëzuar deri sa t'i zgjedhin krejt institucionet, përgjegjësinë dhe të gjitha obligimet i marr vet". Me vendim të prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sipas raportimeve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i arrestuari figuron i dyshuar në 31 raste kriminale të evidentuara gjatë periudhës 2000–2023. Ndër veprat për të cilat ai dyshohet përfshihen:
• Vrasja në tentativë
• Sulmi
• Kanosja
• Mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i armëve
Hetimet për rastin janë duke vazhduar për të zbardhur në tërësi rrethanat e ngjarjes.
Përditësime
Prokuroria ka zgjeruar listën e veprave penale që rëndojnë mbi Jeton Selmanin. Hetimet tashmë përfshijnë akuzat për vjedhje, zhvatje, pengim të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë, prishje të rendit publik dhe dëmtim të pasurisë. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërrmuese e precedentëve penalë të të dyshuarit janë regjistruar gjatë periudhës 2000-2011.