Policia e Kosovës ka arrestuar Haziz Bytyqin, rreth moshës 31-32 vjeç, nën dyshimin se ka kanosur kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi. Arrestimi është kryer mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 21:55, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, i dyshuari me inicialet H.B. është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Ai po hetohet për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dyshimet e autoriteteve lidhen me një rast të ndodhur më 9 shkurt 2025, kur i arrestuari dyshohet se kishte kanosur Kreshnik Radoniqin përmes rrjetit social Facebook. Prokuroria po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Personat e apostrofuar në këtë çështje prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.