Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, më 15 shtator 2026, në zonën e Borshit. Pas marrjes së njoftimit për rënien e zjarrit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, për të vënë flakët nën kontroll.
Gjatë kontrolleve në zonën e vatrave të zjarrit, efektivët kanë konstatuar shtetasin D. Z., 52 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet si autori i ndezjes së këtyre vatrave. Si pasojë e përhapjes së flakëve, përveç dëmeve të konsiderueshme në pyje dhe kullota, është rrezikuar edhe një banesë që ndodhej pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë finalizuar arrestimin në flagrancë të 52-vjeçarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për hetime të mëtejshme.
Në lidhje me këtë ngjarje, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka lëshuar një apel për qytetarët, duke u kërkuar atyre të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e mbetjeve apo qëllime të tjera, pasi veprime të tilla rrezikojnë mjedisin, pronën dhe jetën e banorëve. Policia fton qytetarët të raportojnë çdo rast të dyshimtë të zjarrvënies në numrin 112, duke siguruar reagim të menjëhershëm dhe anonimat.