Pas një pune gjurmuese 48-orëshe dhe monitorimit me pajisje dron, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan fazën e dytë të operacionit të koduar “Piromani”. Shtetasi Anton Deda, 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, u arrestua në flagrancë teksa po ndizte një vatër zjarri. Sipas hetimeve, ai dyshohet si autor i pesë vatrave të tjera të shkaktuara gjatë ditëve të fundit në të njëjtën zonë.
Nga këto zjarre është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh. Policia bën me dije se ndaj 62-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Nga verifikimet e kryera rezulton se i dyshuari ka precedentë të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.
Aktualisht, shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me Policinë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të mbetura. Specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij shtetasi dhe verifikimin e përfshirjes së tij të mundshme në zjarrvënie të tjera në territorin e Bashkisë Mirditë.