Pas një pune gjurmuese tre ditore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Piromani”. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i një shtetasi 65-vjeçar, banues në fshatin Gziq të Njësisë Administrative Rrëshen.
Në momentin e ndalimit, 65-vjeçari sapo kishte ndezur tri vatra zjarri në zonën e pyllëzuar të fshatit Gziq. Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse, në bashkëpunim me efektivët e policisë, bëri të mundur vënien e flakëve nën kontroll përpara se ato të shkaktonin dëme më të mëdha në sipërfaqen pyjore.
I arrestuari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Krahas rastit konkret, specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet hetimore për të dokumentuar përfshirjen e mundshme të 65-vjeçarit në disa zjarrvënie të tjera që kanë ndodhur më herët në territorin e Bashkisë Mirditë. Materialet procedurale i janë përcjellë prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.