Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Drithas”, pas një hetimi disa-javor të kryer me metoda proaktive dhe speciale. Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë Spiro Bregu, 57 vjeç, banues në fshatin Drithas të bashkisë Maliq.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari shfrytëzonte një lokal të marrë me qira për veprimtari të paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e këtij lokali, shërbimet e policisë gjetën një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, e cila ishte e ndarë në doza dhe e gatshme për shitje.
Në vijim të kontrollit të ushtruar në banesën e Spiro Bregut, u gjet një tjetër sasi e dyshuar kokaine dhe një peshore elektronike, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një telefon celular. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të të arrestuarit.
Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në momentin që fajësia e tij vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Përditësime
Autoritetet identifikuan të arrestuarin si Spiro Bregu, 57 vjeç, i cili shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Drithas.