Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Policisë së Korçës finalizuan operacionin policor të koduar "Polena", për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi Nikolla Dhimitri, alias Mikel Koroveshi (të njohur si N. Dh., alias M. K.), 41 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë. Gjatë kontrollit në lokalin që ky shtetas kishte në përdorim, në fshatin Polenë, Korçë, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.