Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale “Shqiponjat”, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, finalizuan më 24 janar 2026 operacionin e koduar “Organizatori” në një lokal në fshatin Bulgarec të Korçës.
Arrestimi kryesor
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i lokalit. Ai akuzohet për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit u konstatua se lokali ishte përshtatur për lojëra fati, poker, bixhoz të paligjshëm, si dhe shpërndarje dhe konsum kokainë. Në banak u gjetën 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa në celularin e të arrestuarit u identifikuan faqe aktive për baste sportive online.
Procedimet penale
Procedohen penalisht 14 shtetas për “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për veprimtarinë e paligjshme, por nuk e kishin kallëzuar.
Gjithashtu, 3 shtetas – R. K. (banues në Korçë), F. A. (banues në fshatin Vinçan, Korçë) dhe H. M. (banues në fshatin Vloçisht, Maliq) – procedohen për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi tentuan të fshihnin provat.
Mes të proceduarve është punonjësi policie D. L., me detyrë pranë PKK Kapshticë, i cili ishte i pranishëm në lokal. Ai procedohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa ndaj tij ka nisur hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Provat e sekuestruara
U sekuestruan 14 doza kokainë, shuma monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa për lojërat e fatit.
Operacioni u zhvillua në zbatim të planit për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e lotarive sportive online. Hetimet vazhdojnë.